EMBOLIA PULMONALE (mushkërore)
EMBOLIA PULMONALE (mushkërore)


       Embolia pulmonare është mbyllje e menjëhershme e plotë apo e pjesërishme e arterieve pulmonale (mushkërive) e shkaktuar më së shpeshti nga  koagulimi, droçka apo të ngjizurit e gjakut. Ka raste edhe mbylljen e arterieve e bëjnë  ajri, yndyrat e liruara nga kockat mbas lëndimeve, trombët e infektuara.

       Ne raste të shpeshta nëse koagulumi është i madh, ai e ndërprenë  rrjedhën e gjakut në mushkëri dhe mund të jetë  fatal, vdekjeprurës dhe trajtimi i menjëhershëm  i tij është shpëtimtar. Në shumicën e rasteve 80%, koagulimet janë te vogla dhe mbyllja e arterieve dhe degëve të saja është më e vogel, mirëpo nëse nuk trajtohet në kohë të duhur atëherë koagulimet do të rriten dhe përfundimi është fatal.

         Rreth   70% te embolive pulmonare prejardhjen e kanë prej trombozave të venave të thella të ekstremiteteve të poshtme.

        Nëse shërimi nuk ka qenë i mjaftueshëm për shkaqe të ndryshme atëherë gjasat e rikthimit te embolisë në vitin e parë janë11%, mbas vitit të tretë 20%, mbas pesë viteve 29% dhe 40% mbas dhjetë viteve. Për këtë arsye trajtimi i menjëhershëm dhe adekuat është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e pacientit.

        Faktorët e rrezikut janë të lidhur me të gjithë faktorët që shkaktojnë trombozat e venave te thella ,e ato janë:

- Historia familjare pozitive që do të thotë në familje dikush ka pasur probleme me  ngjizjen apo koagulimin e gjakut

-Inaktiviteti i gjatë mbas kirurgjive  të ndryshme pra mos lëvizja nga shtrati ose ndonjë sëmundje e rëndë që je i lidhur për shtrati

-udhëtimet e gjata  ajrore dhe  vozitjet  e gjata

-Disa sëmundje siç janë: kanceri, pamjaftueshmëria e zemrës, insulti cerebrovascular (pika ne tru) si dhe infeksionet e rënda

-Venat Varikoze të ekstremiteteve të poshtme

-Shtatëzania  dhe lindjet posaçërisht prerjet Cezariane

-Kontraceptivët oral

-Gjendja postmenopauzale, terapia zëvendësuese hormonale

-Obeziteti, sindroma metabolike

-Duhani

Simptomet:

-Frymëzënja e papritur, dhimbje e fortë therrëse në kraharor e papritur e përkeqësuar mbas frymëmarrjes së thellë apo kollitjes

-Djersitja dhe frika

-Kollitje me gjak

-Te rrahurat e shpeshta te zemrës

-Shoku

Vlen të theksohet  se shumica e simptomave nuk lajmërohen dhe për këto arsye edhe shumë vështirë të diagnostikohet (zbulohet).

Nuk duhet nënçmuar sëmundjen dhe është më e shpeshtë se që përmendet ne literaturë. Përvoja, diagnostika e mirëfillt moderne mund ta zbulojë shumë herët këtë sëmundje tinzare

Trajtimi:

Trajtimi  embolisë pulmonare  fillohet me terapi antikoagulante dhe përqendrohet në ndërprerjen  e formimit të koagulumeve (trombeve) të mëdha dhe izolimin e trombeve që janë formuar më herët.

Trajtimi poashtu varet edhe nga simptomatika e sëmundjes. Nëse ajo është me simptome të rënda atëherë trajtimi është më agresive me  substancat trombolitike (fibrinolitike) të cilat e zbërthejnë trombin në njërën anë por në anën tjetër janë të rrezikshëm  dhe mund te shkaktojnë gjakderdhje.

Poashtu mund të intervenohet në mënyre kirurgjike në forme të embolektomis respektivisht heqja e trombit në arteriet pulmonale.

Ka edhe disa raste kur pacienti ka ndjeshmëri apo alergji ndaj terapisë antikoagulante dhe trombolitikëve atëherë nëse trombi(koagulumi) e ka prejardhjen nga venat e thella të ekstremiteteve të poshtme(këmbëve) atehere vendoset

KAVA filtri i cili i ndalë trombet të cilat shkëputen dhe rrjedhin kah zemra dhe mushkëritë.

        Kohëve të fundit në botën perëndimore përdoren aparatura speciale të cilat e kanë aftësinë ta zbërthejnë trombin dhe ta tërheqin në formë të thithjes.


Prishtinë

04.12.2015                                                                    Dr.Valbon Gashi Mr.Sc

                                                                                             Kirurg Vaskular